Apeli i Durrësit i ul dënimin të kërkuarit nga 17 në 4 vjet burg, Mikel Hoxha nipi i ish-deputetit të PDIU

Gjykata e Apelit Durrës i ka ulur dënimin me 13 vjet të kërkuarit Mikel Hoxha i cili akuzohet për plagosje me armë në Gramsh. Pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë, gjyqtarët kanë vendosur ndryshimin e akuzave duke dënuar të pandehurin me 4 vjet heqje lirie nga 17 vjet që ishte dënimi i dhënë në shkallën e parë.

Gjykata e Apelit në Durrës, ka vendosur t'i ulë masën e dënimit, ndaj Mikel Hoxhës, nipit të ish-deputetit të PDIU-së, Dritan Bici.

I pandehuri është shpallur në kërkim qysh prej qershorit 2018 i dënuar në mungesë në 23 prill 2021, me 17 vite burg për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit."

Gjyqtarët e Apelit Durrës, vendosën ti ndryshojnë të dënuarit, Mikel Hoxha, kualifikimin ligjor të veprës penale nga “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në “Plagosje e rëndë me dashje” duke e dënuar me 4 vjet heqje lirie.

Gjatë diskutimit në seancë gjyqësore, përfaqësuesi i akuzës, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë që dënonte me 17 vite burgim, Mikel Hoxhën.

Kërkesa e organit të akuzës nuk u pranua nga Gjykata, ndërsa tashmë Prokuroria për këtë rast ka depozituar një reurks në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar dënimin e Mikel Hoxhës me 17 vite burgim.

Ngjarja për të cilën është dënuar dhe shpallur në kërkim, Mikel Hoxha ka ndodhur në qytetin e Gramshit në datën 6 qershor 2018 ku në sheshin e qytetit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Admir Haruni banor i zonës, i cili më pas është transportuar në spitalin e Traumës.

E gjithë skena e krimit është parë nga disa oficerë të komisariatit Gramsh, pasi dhe ngjarja ka ndodhur përballë këtij institucioni. Punonjësit e  policisë kanë njoftuar për këtë situatë shefat e tyre duke treguar se shumë pranë vendngjarjes kishte parë duke ikur dhe vëllain tjetër të autorit të krimit Mikel Hoxha.

Nipi i ish-deputetit të PDIU, që prej 2018 vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa tashmë Apeli i uli ndjeshëm masën e dënimit.