Dogjën flamujt serbë tek protesta, dy të arrestuar për nxitje të urrejtjes dhe poshtërim të Serbisë

Dy protestues kanë përfunduar në prangat e policisë për djegien e flamurit serb në protestën e pasdites të së hënës, 20 dhjetor 2021, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër "Ballkanit të Hapur" dhe vjedhjes qeveritare me incineratorët.

Bëhet fjalë për një qytetar nga Tirana dhe një tjetër nga Kruja.

"Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Astrit Cara, 41 vjeç, banues në Tiranë dhe Besnik Balani, 56 vjeç, banues në Krujë" njofton policia.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.

Policia thotë se "këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë".

I identifikuan kamerat

Burimet zyrtare të policisë, thanë se këta tetë persona janë identifikuar nga fotot dhe regjistrimet filmike si autorë të akteve të ndodhura gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.  

Identifikimi i autorëve mësohet se është bërë bazuar në pamjet filmike të publikuara në media dhe në rrjetet sociale ndërkohë që e gjithë skena, është filmuar e fotografuar edhe nga shërbime të policisë dhe të antiterrorit që kishin vendosur efektivat e tyre në tarracën e kryeministrisë dhe të godinës së kryesisë së kuvendit të Shqipërisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.