Berat Gjimshiti: Short i vështirë në Nations League, të luftojmë për çdo pikë

Shqipëria do të nisë në Qershor edicionin e ri të Nations League ku u shortua në Grupin 2 të Ligës B me rivalë si Islanda, Rusia dhe Izraeli. Lidhur me shortin dhe synimet e kuqezinjve në këto përballje, ka folur mbrojtësi Berat Gjimshiti, lideri i mbrojtjes kuqezi ku në një intervistë për FSHF.org e cilëson të vështirë shortin për kombëtaren.

Gjithsesi ai është optimist se Shqiperia do të bëjë maksimumin ndaj çdo kundërshtari në fushë.

“Për mendimin tim, shorti i Nations League më duket i vështirë për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë do të na dhurojë emocione mjaft të bukura sa i përket sfidave, që do të kemi, duke u përballur me këto skuadra që janë shumë të forta”.


Për mbrojtësin kuqezi këto ndeshje do të tregojnë edhe rritjen e kombëtares dhe për çdo përballje kuqezinjtë do të luftojnë për pikë.

“Sigurisht, objektivat duhet t’i përcaktojmë me kalimin e kohës, por është e rëndësishme që ne të tregojmë se do të luftojmë për çdo pikë në këtë grup dhe të tregojmë vlerat tona, si edhe të konfirmojmë edhe një herë rritjen e Kombëtares shqiptaret në kohët e fundit”, deklaroi mbrojtësi që po shkëlqen te Atalanta në Serinë A./Ora News/.