Boris Johnson i ka punët 'pisk'/ Dalin fotot e takimeve në grup gjatë karantinës totale

Media britanike “The Guardian” ka publikuar një foto të kryeministrit Boris Johnson së bashku me stafin e tij duke qëndruar së bashku në verandë gjatë kohës së karantinimit total të vendit.

Kanë qenë akuzat për një darkë Krishtlindjeje të vitit të shkuar, më pas mohimi nga ana e qeverisë, që ka pështjelluar edhe më tej situatën.

Opozitarët laburistë po kërkojnë dorëheqjen e Johnsonit për shkelje të rregullave anti-Covid, teksa kryenegociatori i Brexitit, David Frost, dha dorëheqjen pak ditë më parë, dhe një ndër arsyet ishte edhe çështja e masave anti-Covid dhe rimëkëmbja e ekonomisë britanike.

Angela Rayner, nënkryetarja e Partisë Laburiste, tha për fotografinë e bërë publike nga mediet se ishte një shuplakë në fytyrën e publikut britanik. “Kryeministri vazhdimisht na tregon se nuk ka respekt për rregullat që vendos për pjesën tjetër të qytetarëve. Kur ne të tjerët bënim vetëm një shëtitje ditore,  kryeministri ishte duke pirë dhe festuar deri vonë në mbrëmje”, Angela Rayner.

Boris Johnson i ka punët 'pisk'/ Dalin fotot e takimeve në

19 zyrtarë britanikë janë mbledhur në grupe nëpër tarracën dhe lëndinën në Downing Street.

Kjo ngjarje, sipas gazetarëve, ka ndodhur kur takimet ishin kufizuar vetëm mes dy personash, të cilët mund të takoheshin vetëm jashtë dhe në një distancë prej të paktën 2 metrash.

Ndërkohë, në vendet e punës, udhëzimi thoshte se takimet personale duhej të zhvilloheshin vetëm nëse ishin "absolutisht e nevojshme".