Ministrja gjermane: Rusia nuk mund t'i diktojë NATO-s çfarë të bëjë
"NATO do të diskutojë propozimet e sigurisë së Rusisë, por nuk do të lejojë Moskën të diktojë qëndrimin ushtarak të Aleancës."
Kështu deklaroi sot ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, gjatë vizitës së saj te forcat gjermane të përqendruara në Lituani për të parandaluar çdo sulm rus.
Të premten, 17 dhejtor,Moska i paraqiti Perëndimit një listë kërkesash , duke përfshirë tërheqjen e forcave të NATO-s nga Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania, që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik.
Rusia po kërkon gjithashtu një garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO të braktisë të gjithë aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore dhe Ukrainë dhe (po kërkon) një veto efektive ruse për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në NATO, të cilin perëndimi tashmë e ka përjashtuar.
"Ne duhet të zgjidhim tensionet aktuale në mënyrë diplomatike," u tha Lambrecht gazetarëve në Roukla gjatë vizitës së saj të parë te forcat gjermane të përqendruara jashtë vendit.
Njësitë luftarake, të dislokuara tre vjet pas aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014, janë atje për të ndaluar çdo sulm, duke kursyer kohë derisa forcat shtesë të NATO-s të arrijnë në front.
"Ne do të diskutojmë propozimet ruse...Por Rusia nuk mund t'ua diktojë pozicionin e saj partnerëve të NATO-s dhe kjo është diçka që do ta bëjmë shumë të qartë në bisedimet (javën e ardhshme në Këshillin e NATO-s)".
Perëndimi ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë nëse Moska përshkallëzon zhvillimin e saj ushtarak në kufirin me Ukrainën.
