Gjekmarkaj: PD në krizë identiteti, duhet të ndahet nga Berishizmi siç u nda shoqëria nga Enverizmi!

Në fjalën e tij deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj u shpreh se beteja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në të vërtetë është një luftë për dy modele partish, partisë postkomuniste të tranzicionit të Sali Berishës dhe Partisë demokratike të dekadës apo dekadave të së nesërmes.

Sipas tij, kriza vetjake e personale e personalitetit politik Sali Berisha, raportet  e tij personale  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vetëm një shkëndijë që  bëri shpërthenin gjithë problemet e akumuluara gjatë 30 viteve.

Gjekmarkaj: Ndonëse prezenca juaj këtu është, burim i madh shprese e vendosmërie ne nuk jemi  këtu për festë, po për të ndarë e zgjidhur  një krizë të madhe që na ka përfshirë! Për fat të keq ajo që na shfaqet si luftë mes dy personash, pra midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në të vërtetë është një luftë për dy modele partish, partisë postkomuniste të tranzicionit të Sali Berishës dhe Partisë demokratike të dekadës apo dekadave të së nesërmes. PD është partia e të gjithëve dhe si e tillë nuk mund të lejojë që kriza e një  personaliteti  politik si  Sali Berisha, që ka dominuar PD-në e tranzicionit të përcaktojë fatin e Partisë Demokratike për sot, nesër e përgjithmonë. Kriza vetjake e personale e personalitetit politik Sali Berisha, raportet  e tij personale  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vetëm një shkëndijë që  bëri shpërthenin gjithë problemet e akumuluara gjatë 30 viteve. Përgjegjës këtu mund të jetë shumëkush, por askush sa Sali Berisha nuk mund të jetë përgjegjës për krijimin e këtyre problemave dhe plagëve që ne kemi. Për këtë arsye, pak kush me mend në krye mund të besojë se ai mund të jetë shërues i plagëve që ka shkaktuar vetë.

Gjekmarkaj shtoi se PD po pranon krizën e saj të identitetit dhe se ajo duhet të ndahet nga Berishizmi siç u nda shoqëria nga Enverizmi

Gjekmarkaj: Partia Demokratike sot ka nevojë të bëjë një akt të madh historik. Ajo po pranon krizën e saj të identitetit. Ajo po pranon dhe duhet të bindet për këtë se identiteti I saj nuk mund të jetë identiteti i liderit gjë që ka ndodhur deri tashti me raportet e saj me Sali Berishën. Ajo duhet të ndahet nga Berishizmi siç u nda shoqëria nga Enverizmi! Çdo ndarje ka përmasën e saj të dhimbjes dhe trishtimit, por edhe farën e një fillimi të ri. Pikërisht për këtë duhet thënë që në fillim se Berishizmi sot është enverizmi i demokracisë. Me këtë nuk dua të them se ai është burimi i gjithë të këqijave, madje nuk dua ti mohoj asnjë meritë Sali Berishes për betejat që ai ka bërë, për cilësitë që ka shfaqur , për arritjet e tij në pushtet!