Salianji: Jemi në anën e duhur të historisë, Rama përgjegjësi kryesor i fatkeqësive kombëtare

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së në Pallatin e Kongreseve, deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se ky është një moment kulmor për partinë që është në anën e duhur të historisë.

Sipas tij, shqiptarët e kanë humbur shpresën te e ardhmja dhe tha se përgjegjësi kryesor për këtë fatkeqësi kombëtare ka vetëm një emër, Edi Rama dhe qeveria e tij.

Salinaji: Momente si këto, kritike, të forta, të pashmangshme për tu përballur vijnë rrallë, jo aq rrallë në fakt në këto 8 vite opozite, por ky moment është kulmor jo vetëm në karrierës politike të një politikani. Ky Kuvend, zhvillohet në një moment vendimtar dhe historik për Partinë Demokratike, për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Në një përplasje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në këtë vend dhe jam më shumë se i bindur që kushdo prej jush ndjehet i nderuar që po bën një betejë të drejtë, që është dhe jemi në anën e duhur të historisë. Askush më nuk duhet ta konsiderojë Partinë Demokratike si vegël të tij personale sa herë që i preken interesat, qoftë ky dhe Sali Berisha. 

Nuk ka asnjë dyshim se sot shqiptarët kanë humbur shpresën te e ardhmja, se sot shqiptarët janë më të varfër se tetë vite më parë, se sot emigrojnë më shumë se asnjëherë tjetër, dhe më shumë se sa vendet që janë zyrtarisht në luftë. Nuk ka asnjë dyshim dhe të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme e tregojnë me fakte se papunësia është rritur, se niveli i arsimit është ulur, se shëndetësia e propaganduar si falas është më e shtrenjtë se kurrë, se korrupsioni është në nivele alarmante. Përgjegjësi kryesor për këtë fatkeqësi kombëtare ka vetëm një emër, Edi Rama dhe qeveria e tij.