Basha: Sot zgjedhim bashkëudhëtimin me SHBA-të dhe BE-në, jo zgjedhën e kastës 30-vjeçare
Nga Pallati i Kongreseve ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha shpreh se Kuvend i jashtëzakonshëm i PD-së mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë për të ardhmen e vendit.
Ai theksoi se PD do të zgjedhë bashkëudhëtimin me aleatët dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian.
Basha: Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare, dhe pa asnjë diskutim i takon të jetë aty ku Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor. Ky Kuvend i jashtëzakonshëm mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë:
-a do të zgjedhim të ardhmen?
-a do të zgjedhim të heqim nga supet e Shqipërisë dhe shqiptarëve, zgjedhën e sundimit të njëshave, zgjedhën e sundimit të kastës tridhjetëvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e pushtetit dhe pasurisë marramendëse që kanë grumbulluar në rrugë të paligjshme e kriminale, zgjedhën e pandëshkueshmërisë që për turpin e tyre e kanë ngritur në sistem, për të përjetësuar pushtetin e pak njerëzve?
-A do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i çliruar nga sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave?
-A do të zgjedhim këtë betejë, ketë shans që nuk vjen shpesh?
-Me një fjalë tjetër të vetme, a do të zgjedhim fitoren?
-Apo do të zgjedhim të shkuarën?
-Apo do të zgjedhim nënshtrimin?
-Apo do të zgjedhim humbjen e busullës nga u nisëm në dhjetor të vitit 1990?

