Basha: Ta fillojmë pastrimin nga vetja, do të lëmë jashtë ata që sfidojnë SHBA-në për halle personale

Nga Pallati i Kongreseve ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha shpreh se PD duhet t’i bindë shqiptarët që duhet ta nisë sfidën nga vetja për të pastruar radhës.

Ai theksoi se duhen lënë jashtë radhëve tona ata që duan të sfidojnë SHBA për hallet personale pikërisht për lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin e sundimin e ligjit.

Basha: Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin dhe Vettingun. Duhet të bindim shqiptarët që i bën këto gjëra dhe i bën duke nisur nga vetja duke lënë jashtë radhëve tona ata që duan të sfidojnë SHBA për hallet personale pikërisht për lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin e sundimin e ligjit. Mblidhemi sërish në këtë sallë, pak muaj pasi të gjithë bashkë ngarkuam njëri-tjetrin me përgjegjësinë për të çuar përpara përballjen me kundërshtarin tonë politik, të vendosur për të mos hequr dorë nga detyra që na besuan qytetarët, atë për ndryshimin, që pengoi egërsisht nga masakra zgjedhore. U mblodhëm në 17 korrik, por u mblodhëm me një gur në zemër dhe një nyje në fyt.

Personit që mes nesh i kishim vendosur mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavdërime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilësimi non–grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.