Formohet Aleanca Qytetare, Aliabeaj: Do të afrojë në PD intelektualët, edhe pa qenë anëtarë

Në Kuvendin e sotëm Kombëtar në “Pallatin e Kongreseve” anëtari i Komisionit të punimeve të Kuvendit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, prezantoi përballë delegatëve ndryshimet statutore të propozuara nga Kryesia.

Në këtë kuvend u krijua Aleanca Qytetare e cila do të shërbejë si një organizatë për afrimin me Partinë Demokratike të intelektualëve të spikatur në shoqëri, edhe pa qenë anëtarë të kësaj force politike.

Alibeaj theksoi se me ndryshimet në statut, bëjnë që Aleancës Qytetare tu sigurohet ligjërisht 10% e pozicioneve vendimmarrëse ose drejtuese të partisë.

Alibeaj: Në cilësinë e përfaqësuesit të Komisionit, me propozim të Kryesisë propozohet që në statutin e PD-së të shtohen dy dispozita të cilat i dedikohen krijimit të një strukture të re demokratike që quhet Aleanca Qytetare për Demokracinë. Pas nenit 58 do të shtohet neni 58 fraksion 1, që thotë se përveç organizatave partnere që partia ka, shtohet dhe Aleancën Qytetare e cila bëhet nga intelektual të spikatur në shoqëri të cilët bashkëndajnë të njëjtat vlera dhe parime me PD-në. Anëtarësimi në parti nuk është kusht për anëtarësimin në Aleancën Qytetare për Demokraci.

Aleanca Qytetare synon të analizojë dhe të japë mendim kritik ndaj politikave, qasjeve dhe nismave të Partisë Demokratike duke ndihmuar partinë të forcojë dialogun dhe debatin konstruktiv me shoqërinë. Dhe pika 4, PD garanton përfaqësimin e Aleancës Qytetare me 10 % në pozicionet vendimmarrëse ose drejtuese të partisë.