"Kurajë e jashtëzakonshme", Kraja: Berisha i pari që trajtoi Amerikën në Gjykatën e Parisit, një besim historik

Nesër, më 18 dhjetor Lulzim Basha ka thirru Kuvendin e PD-së në Pallatin e Kongreseve. Nga ana tjetër, Sali Berisha ka thirrur një referendum për të zyrtarizuar vendimet e marra në Kuvendin e datës 11 dhjetor në "Air Albania." Por Çfarë do të ndodhë nesër? Cili është lideri i duhur për Partinë Demokratike?

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Akil Kraja, i ftuar në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora u shpreh se pyetja nuk është se cili është lideri i duhur, por cili është modeli i duhur.

"Modeli është që të ketë meritokraci, të kemi dialog, transparencë, të jemi evropianë jo në fasadë, por në përmbajtje," tha ai.

Kraja the se ky element i mungoi modelit që ne provuam në 8 vite.

Kraja: Më 18 dhjetor ka një referendum për herë të parë në Shqipëri ku bëhet një tentativë për të kryer një standard. Unë nesër besoj se do ketë shumë demokratë që do dalin të votojnë për këtë standard të ri. Kush refuzon demokracinë duke vënë dryna dyerve të qendrave të votimit është antidemokratik. Ne duam konkurrencë, meritokraci.

Kraja u shpreh se Berisha është katalizator i një ambicie të shumë shqiptarëve, simpatizantë të PD-së për të sjellë një frymë ndryshe në politikën e vendit.

Kraja: Që nga "Foltorja" deri të Kuvendi i datës 11 e referendumi po sjell një risi të cilën unë e quaj pozitive sepse krijon një standard. Nuk bëhet politika që ti të marrësh kriminelët, t'i fusësh në listat e kryetarëve të bashkisë edhe pse s'ke garë fare. Sali Berisha doli ballë për ballë me demokratët. I tha "ky është mendimi im, ky është Lulzim Basha, ky është qëndrimi i Amerikës, unë besoj këto gjëra", një përballje pa komplekse.

Në 8 vite nuk kemi një debat të vetëm Edi Rama - Lulzim Basha. Evropa është dialog, të shkosh të ballafaqohesh. Ky është dështimi i opozitës tonë. Ndërkohë Sali Berisha Amerikën e trajtoi në Gjykatën neutrale në Francë, një kurajë e jashtëzakonshme, një besim historik. Është për herë të parë që një individ ka kurajën të shkojë në Gjykatë neutrale në Francë kunda një vendimi që sigurisht ende nuk ka transparencë.

Kraja e quan lëvizjen e Berishës një demokratizim të dytë për PD-në. Sali Berisha, sipas Krajës,  ka treguar një energji të jashtëzakonshme dhe i ka treguar njerëzve që a në pushte, a në opozitë Sali Berisha dhe opozita janë një.