Ukraina dënon me 11 vite burg një separatist rus: Ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit

Ukraina ka dënuar një separatist rus i cili vepronte në lindje të vendit që prej vitit 2014, kohë në të cilën Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë. I pandehuri i mohoi akuzat edhe pse prokuroria faktoi se ai kishte lidhje me kreun e separatistëve në Donjeck, Igor Bezler.

Një gjykatë në lindje të Ukrainës ka dënuar me 11 vjet burgim Viktor Mykhed për shkak të përfshirjes së tij në krah të separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Gjykata tha se Mykhed është përfshirë në trajtimin çnjerëzor të të burgosurve të luftës dhe civilëve.

Sipas hetuesve, Mykhed ishte bashkëpunëtor i afërt me Igor Bezler, i cili është edhe komandanti i separatistëve në Donjeck. Prokurorët thanë se Mykhed mori pjesë në përcjelljen e ushtarëve ukrainas dhe xhironte video propaganduese për separatistët përfshirë një ekzekutim të manipuluar.

I pandehuri mohoi akuzat dhe tha se gjykata i ka mohuar pasjen e një përkthyesi që të përkthente akuzat nga gjuha ukrainase në atë ruse.

Më shumë se 13,200 njerëz mendohet se janë vrarë në më shumë se 7 vjet në luftimet në mes të forcave të Qeverisë ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Kremlini.

Rajoni i Donjeckut dhe Luhanksit janë nën kontrollin e separatistëve që nga prilli i 2014-s, disa javë pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.

Rusia dyshohet se ka siguruar përkrahje ushtarake, ekonomike dhe politike për separatistët, por megjithatë Moska i ka mohuar të gjitha akuzat se po ndërhyn në çështjet e brendshme të Ukrainës.