Vaksina kundër Covid edhe për fëmijët në Itali

Italia ka nisur fushatën e vaksinimit anti Covid për fëmijët e moshës nga 5 deri në 11 vjeç. Prej sot prindërit mund të prenotojnë vaksinimin e fëmijëve në strukturat ambulatore përkatëse ku që prej të enjtes së 16 dhjetorit, do të nis aplikimi i dozave të para.

Vaksinimi i fëmijëve do të bëhet me vaksinën Pfizer në formulën speciale për fëmijët. Flakonet e vaksinave do të jenë të mbyllura me tapë plastike në ngjyrë portokalli dhe përmbajnë 10 doza nga 0.2 ml. Doza e vaksinës për fëmijët është shumë herë më e ulët se për personat e rritur.

Vaksinimi i tyre do të kryhet në krah ndërsa doza e dytë do të bëhet 3 javë pas dozës së parë.

Për fëmijët me imunitet të dobët që vuajnë nga patologji të ndryshme është e parashikuar dhe kryerja e një doze të tretë vaksine 28 ditë pas dozës së dytë.

Komisari i jashtëzakonshëm për emergjencën shëndetësore në Itali, Francesco Paolo Figliuolo ka deklaruar se janë në dispozicion 1.5 milionë doza vaksine për fëmijët e që sipas nevojës e kërkesës do të shtohen ditë pas dite.

Vendimi për nisjen e vaksinimit edhe për fëmijët erdhi më datë 1 dhjetor 2021, nga Komisioni tekniko shkencor i Agjencisë Italiane të barnave e studimit të kryer nga Agjencia Europiane e barnave.

Studimi është bazuar në vaksinimin me Pfizer Biotech të 3100 fëmijëve, rezultati i të cilëve ka vërtetuar një efikasitet në 90.7% kundër  Covid 19.

Studimi nuk ka verifikuar efekte të rënda shëndetësore të fëmijëve të vaksinuar, por reagime si dhimbje në zonën e injektimit në 80% të rasteve, lodhje fizike në rreth 50% të tyre, dhimbje koke në 30% e dhimbje muskujsh në 10 % të fëmijëve të vaksinuar.