Bisedime në Vjenë për marrëveshjen atomike me Iranin, lejohet vendosja e kamerave në centralin bërthamor

Agjencia Atomike ka njoftuar se Irani ka pranuar që në një prej centraleve të tij bërthamorë të vendosen kamera të reja vëzhgimi. Ky është një hap i vogël në bisedimet që po zhvillohen në Vjenë mes Iranit dhe Fuqive të Mëdha, por analistët kanë shpresë se më shumë mund të arrihet.

Fuqitë e Mëdha botërore dhe Irani janë duke biseduar në Vjenë për programin bërthamor të Republikës Islamike. Palët kanë arritur marrëveshje për të zëvendësuar kamerat në një nga komplekset bërthamore të vendit, pasi diplomatët perëndimorë paralajmërojnë se koha po kalon për të kufizuar programin atomik të Teheranit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike me bazë në Vjenë kishte kërkuar më herët që të zëvendësonte pajisjet, për të cilat Irani tha se ishin dëmtuar nga një sulm që fajëson Izraelin.

"Marrëveshja me Iranin për zëvendësimin e kamerave të vëzhgimit në objektin e Karajit është një zhvillim i rëndësishëm për verifikimin dhe monitorimin e aktivitetit bërthamor në Iran," tha të mërkurën drejtori i përgjithshëm i Agjencisë, Rafael Grossi.

Nga ana e tij, Irani e ka cilësuar këtë veprim si vullnetmirë për t’i dhënë fund keqkuptimeve për marrëdhëniet me Agjencinë Atomike.

Fuqitë e Mëdha botërore duan që të kufizojnë ndërtimin e një arme bërthamore nga Irani, teksa më herët ka qenë një marrëveshje me Amerikanët dhe Fuqitë e tjera për këtë çështje, por administrate Trump e braktisi atë.

Nën administratën e Presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosën një serë sanksionesh të forta ndaj Teheranit. Në anën tjetër, Irani që atëherë ka përshpejtuar programin e tij bërthamor. Agjencia Atomike ka paralajmëruar se vendi po pasuron uraniumin deri në kuotat e 60 përqindëve dhe po përdor gjithashtu centrifuga të avancuara.

Fuqitë evropiane e kanë akuzuar Iranin për tërheqje nga angazhimet e mëparshme që kishte marrë dhe për zvarritje të negociatave me qëllim të blejë kohë për programin e tij bërthamor.

Irani ndërkaq kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve dhe një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme se SHBA nuk do të tërhiqet përsëri nga marrëveshja. Të martën, kryediplomati amerikan, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni po përgatiste "alternativa" në rast se bisedimet e Vjenës dështojnë.