LSDM e ka kryetarin e ri, Dimitar Kovaçevski zgjidhet në krye të partisë pas dorëheqjes së Zoran Zaev

Lidhja Social Demokrate (LSDM) në Maqedoninë e Veriut zgjodhi kryetarin e ri të partisë në votime të drejtpërdrejta nga një trup prej mbi pesëdhjetë mijë anëtarësh. Dimitar Kovaçevski është kryetar i ri i social-demokratëve, i cili mori mbi 37 mijë vota.

Dy garuesit e tjerë për kreun e partisë, Jovan Despotovski dhe Frosina Remenski morën rreth 3300 dhe 2800 vota përkatësisht. Votimi u bë nëpër organizatat komunale të partisë në të gjithë vendin. Më parë, kryetari zgjidhej nga kongresi i partisë.

Zgjedhja e kryetarit të ri u imponua për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë, pasi LSDM-ja pësoi humbje të thellë në zgjedhjet lokale para disa javësh.

Zoti Kovaçevski gëzonte mbështetjen e fuqishme të zotit Zaev dhe të disa zyrtarëve të lartë të LSDM-së.

Në një konferencë me gazetarët pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kryetari i ri Kovaçevski tha se do të vazhdojë rrugën e pararendësit të tij Zoran Zaev për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut.

“Sot fitoi LSDM-ja, ndërsa prej nesër duhet t’i përvishemi punës, sepse qytetarët presin nga ne, që të punojmë me përgjegjësi dhe me përkushtim”, theksoi ai.

Zoti Kovaçevski tha se do t'i japë përparësi kthimit të unitetit brenda partisë dhe se programet sociale e demokratike të saj duhet të jetësohen në praktikë brenda shtetit. Ai theksoi parimin për një shans të drejtë dhe hapjen e partisë dhe institucioneve për ata, të cilët kanë kapacitet profesional.

Kreu i ri i social-demokratëve aktualisht është zëvendës-ministër i Financave. Ai e merr drejtimin e partisë në një kohë të vështirë si në aspektin shëndetësor, ndërsa vendi është ndër më të prekurit në rajon nga pandemia e Covid-19, po ashtu edhe në aspektin e vështirësive ekonomike dhe krizës energjetike.

Kryetari i ri i LSDM-së pritet të marrë edhe mandatin për formimin e qeverisë së re, përkatësisht të një riformatimi të pritshëm të kabinetit, ku krahas Lidhjes Social Demokrate me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Partisë Demokratike Shqiptare, do të përfshihet edhe partia Alternativa.

Ndërkohë, partia tjetër më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE e opozitës po të dielën në Kongresin e 17 të saj rizgjodhi kryetarin aktual, Hristijan Mickovski për një mandat të dytë. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë post. 489 nga 493 delegatët e pranishëm në Kongres, votuan për rizgjedhjen e zotit Mickovski.