Ministri serb Aleksandër Vulin mohon gjenocidin e forcave serbe në Reçak: Një gënjeshtër e tmerrshme
Qeveria serbe mohon gjenocidin e forcave serbe në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë dhe masakrën e civilëve. Deklaratat kanë ardhur nga ministri Aleksander Vulin i cili e quajti këtë masakër si një falsifikim dhe trillim. Por reagimet ndaj këtyre qëndrimeve kanë qenë të ashpra. Departamenti Amerikan i Shtetit i kujton Vulin se ajo masakër është e mirëdokumentuar.
Ministri kontravers dhe propagandues i regjimit në Serbi, Aleksander Vulin ka mohuar gjenocidin e forcave serbe në Reçak. Vulin e ka quajtur masakrën e Reçakut “një gëshnjeshtër të tmerrshme”, madje ministri serb nuk u mjaftua me kaq duke e quajtur këtë masakër si një falsifikim dhe trillim.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtër të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar sa t’i tregonim gjithë botës se çfarë gënjeshtër e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, tha Vulin.
Keto deklarata skandaloze kanë nxitur reagime të ashpra si nga ana e dëshmitarëve të kësaj ngjarje makabre e deri tek misionet ndërkombëtare.
Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vulin, tha se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.
“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi ka deklaruar se pohimet e Ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e Presidentit Vuçiq.
“Pohimet e Ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e Presidentit Vuçiq. Heshtje që dëshmon se Vuçiqi pajtohet me Vulinin. Se Vulini i thotë mendimet e Vuçiqit që nuk dëshiron t’i thotë publikisht.”, ka theksuar deputeti Kamberi.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i reagojnë dhe t’i bëjnë para së gjithash presion Vuçiqit, si shef dhe mbrojtës i Vulinit.”, ka bërë thirrje Kamberi.
Ndërsa, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano.
