Basha: Vendimet e tubimit të sotëm s’kanë lidhje me PD-në, nesër mbledhim urgjent Këshillin
Pas mbledhjes së kryesisë, kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për mediat tha se Kuvendi i sotëm i Berishës falsifikoi, shpërdoroi funksione, simbole në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të Partisë.
Lidhur me këtë çështje Basha bëri me dije Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021.
Po ashtu ai njoftoi edhe për shkarkimin e disa krerëve të degëve, sekretarëve ekzekutivë dhe kreut të Këshillit kombëtar.
Basha: Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Në përgjigje të falsifikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur:
Thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite:
1. Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.
2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor.
Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve.
Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës për falsifikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike.
