Vrasësit e 55-vjeçarit në Kurbin ende të lirë, ekspertët rindërtojnë skemën: Si u ekzekutua më 7 plumba biznesmeni

Babë e bir të dyshuar për vrasjen e 55 vjeçarit Rakip Rroli të premten, 10 dhjetor në Sanxhak të Kurbinit mbeten ende në arrati. Ndërkohë 17 persona të tjerë janë marrë në pyetje mbi motivet dhe dinamikën e krimit dhe janë lënë të lirë.

Pas ekzekutimit të 55-vjeçarit Rakip Rroli në Sanxhak të Kurbinit, policia ende nuk ka asnjë të arrestuar, por vetëm dy persona në kërkim.

Të dyshuarit Skëndër Lika dhe i biri prej premtes janë në arrati, pasi nuk u gjeten në banesë dhe as kërkimet e postoblloqet për t'i ndaluar nuk dhanë rezultat.

Dyshimet janë se ata fillimisht u larguan nga vendngjarja në këmbë e më pas me makinë mund të kenë udhëtuar drejt zonave të tjera ku janë strehuar.

Ekspertët e kriminalistikës ndërkohë kanë rindërtuar skemën e ekzekutimit të 55-vjeçarit sapo doli nga banesa e tij.

Atentatorët sipas burimeve kanë qëndruar në anë të rrugës dhe kur kanë parë makinën me të cilën lëvizte objektivi kanë nisur ta qëllojnë.

Rakip Rroli ka tentuar të largohet me shpejtësi por nuk u ka shpëtuar të paktën 7 plumbave që i shkaktuan vdekjen.

Autorët pasi janë bindur 55-vjeçari kishte ndërruar jetë kanë qëlluar edhe një herë në ajër dhe më pas janë larguar.

Në zonë mungojnë kamerat e sigurisë, ndaj grupi hetimor ka mbledhur pamje nga biznese përgjatë rrugës së vjetër Laç Mamurras për të parë lëvizjet para e pas krimit.

Përgjatë 24 orëve, në policinë e Kurbinit janë shoqëruar rreth 17 persona, kryesisht në cilësinë e dëshmitarit apo personit që mund të ketë dijeni.

Pasi janë marrë në pyetje që të gjithë janë lënë të lirë.

Hetimet  për atentatin janë përqendruar tek konfliktet e biznesmenit të materialeve të ndërtimit por dhe konfliktet e tre djemve të 55-vjeçarit.