"Hijet e së kaluarës nuk duhet t'ju turbullojnë", Basha i premton demokratëve: Ne, PD-ja do të vendosim fatin e Shqipërisë evropiane

"Ne Partia Demokratike do të vendosim fatin e Shqipërisë evropiane."

Ishte ky premtimi që Basha  i bëri demokratëve nga selia blu në 31-vjetorin e PD-së.

Ai u shpreh se nuk mund të injorojmë atë që po ndodh aktualisht me një pjesë të PD-së.

Basha: Dua t'i drejtohem demokratëve të zhgënjyer, të mërzitur e të dëshpëruar dhe t'i them e njoh dhe e kam prekur dëshpërimin tuaj kur më keni besuar përmbysjen e një shteti që nuk ka lidhje me demokracinë dhe votën e lirë. Interesat e demokratëve janë më të shenjta se çdo gjë dhe se çdo kush. Hijet e së  kaluarës nuk duhet t'ju turbullojnë. Kulti i individit që tërhoqëm zvarrë më 20 shkurt nuk mund dhe nuk mund të ringrihet më në asnjë formë.

Detyra ime sa i takon partisë tonë është diçka tjetër, jo përmes manipulimit, skemave, intrigave apo akoma më keq mendësisë së shkuar që mban peng akoma vendin, politikën, shoqërinë, por përmes parimeve që kanë formësuar shoqëritë elita të Evropës të mos bëj atë po tentojnë të bëjnë sot aktorët 30-vjeçarë të tranzicionit. Po e bëra dhe unë kam vënë një tjetër tullë në murin e tranzicionit që vazhdon ët na mbajë të ndarë nga ëndrrat që  Shqipëria të jetë si gjithë Evropa.

Basha shtoi se duke nisur që nga ky moment e deri në realizimin e objektivit parësor për t'i çelur rrugën evropiane Shqipërisë, që është largimi i regjimit antidemokratik të Edi Ramës do të vazhdojnë të gjithë bashkë përpara.

Basha: Kjo ftesë i drejtohet edhe atyre që gabueshëm kanë menduar që kjo parti e ka humbur rrugën e vet dhe mund të tentojë rrugë të pashkelura nga partitë që i shërbejnë demokracisë.

Ai përsëriti dhe njëherë thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Demokratëve më 18 dhjetor në pallatin E Kongreseve në Tiranë.