PSG bën gati spastrimet, në janar janë 5 lojtarë me valixhe në duar
Merkato e Janarit nuk do të jetë aq e qetë për Paris Saint Germain. Leonardo do të ketë një mision të vështirë, pastrimin e skuadrës nga elementët të cilët nuk janë në planet e Pochettinios e gjithashtu që mund të sjellin të ardhura për klubin.
Nuk janë pak ata që duhet të largohen dhe që nuk janë në plan të parë e që kanë ngrohur stolin gjatë këtyre muajve.
I pari dhe kryesori është Mauro Icardi. Duke hequr mënjanë problemet e tij personale, argjentinasi nuk shihet mire nga Messi dhe as që nuk është titullar ndaj mund të rikthehet në Serinë A. Të paktën 50 mln Euro kërkon të rikuperojë Leonardo për kartonin e tij.
Rafinha nuk shihet aspak nga Pochettino dhe është e sigurtë që do të largohet në Janar, në mos i shitur, mesfushori mund të huazohet në Spanjë e jo vetëm.
Sergio Rico është portieri i tretë i parizienëve. Duke pare dy monstra si Navas e Donnarumma përpara as që e mendon se mund të ketë shanse ndaj dhe ai mezi pret Janarin për t’u larguar teksa ka kontratë deri në 2024 por problem mbetet paga e lartë.
Layvin Kurzawa dhe Diallo janë dy lojtarë që duhej të ishin shitur që në verë por futbollistët nuk pranuan. Sërish në Janar, klubi do të tentojë një sistemim për ta.
Në kompleks, Leonardo mund të kursejë dhe përfitojë në total 100 mln euro mes kursimit nga pagat dhe shitja por problem më i madh mbetet se janë lojtarë të mirëpaguar dhe klubet që i duan, nuk mund t’i përballojnë./Ora News/.
