Longo: Nuk e merituam humbjen, më sulmoni mua. Josa ndal euforinë e Laçit
Një ndeshje shumë e bukur dhe me emocione prodhoi edhe polemika dhe episode që do të komentohen gjatë. Kështu ndodhi me trajnerin e Kukësit, Longo i cili ka shumë për të thënë për disa vendime por gjithsesi kërkoi që të mos kritikoheshin lojtarët për këtë humbje.
“Jam i mërzitur, jam shumë i zhgënjyer. Duhet të mësojmë nga kjo humbje, të nxjerrim leksione. Goli i anuluar? është gol, është gol i pastër. Deri pak orë më parë po sulmonim të gjithë pse thashë që ky ekip nuk krahasohet me Tiranën, ndërsa tani ndodh e kundërta.Ishte goli ai që u anulua, do shkonte ndeshja në barazim 2-2 nëse do shënonim edhe penalltinë, ndeshja do të përfundonte 3-2 për ne. Penalltia? Nuk kam koment, Hila mori përgjegjësi dhe gaboi, kaq. Nëse doni të gjeni një përgjegjës për këtë ndeshje, ai jam unë. Mjaft me sulme ndaj lojtarëve. Ka pesë muaj që flitet për mbrojtjen tonë, ndërsa deri përpara ndeshjes së sotme ishim mbrojtja e tretë më e mirë e kampionatit. Nuk kam asgjë nëse më sulmojnë mua, thjesht dua të gjejmë një balancë, të dimë kush jemi. Sot nuk e merituam humbjen. Goli i parë? Nuk gaboi Lulaj, ai ka eksperiencë të madhe, problemi lidhet me qasjen dhe nisjen e ndeshjes nga ana jonë. Është një gabim foshnjarak, jo i mbrojtjes. Nuk është problemi që kemi siguri të tepërt, është qasja e gabuar falë së cilës pësuam dy gola në minutat e para”, u shpreh Diego Longo.
Nga ana tjetër, Mirel Josa u shpreh tepër i kënaqur për fitoren duke shpjeguar edhe festimin për pikët e marra ndaj ish skuadrës së tij sezonin e kaluar.
“Kam festuar nja 2-3 herë edhe me Tiranën, kam qenë i qetë pasi kam pasur ekip shumë të mirë te Tirana. Unë jam i gëzuar, jo vetëm për 3 pikëshin, por edhe mënyrën se si djemtë sillen dhe si luftojnë në grup. Është shumë e rëndësishme që lojtarët kishin mbështetjen e njëri-tjetrit në minutat e fundit. Dalja përpara duhet të ishte më efikase. Skuadra potencial, por duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi na presin ndeshje të vështira, nuk ka ndeshje të lehta. Në disa raste e humbëm topin shpejt, duhet të kishim bërë shumë më mirë përpara si në golin e anuluar tonin, t’i thonim kundërshtarit që të kishin kujdes.Sfida me Tiranën? Dëmtimet do t’i shikoj nesër. Tirana e kryeson kampionatin me meritë, ka kontingjent lojtarësh të mjaftueshëm për të përballuar kampionatin, por edhe ata kanë problemet e veta. Kemi kohë për të menduar, por që nga sot duhet të mendojmë për Tiranën dhe jo të festojmë fitoren me Kukësin. Ata kanë bërë ndeshje të mira në Laç në vitet e fundit, duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi trajneri i Laçit, Mirel Josa./Ora News/.
