Ethet nga "non grata" trazojnë Tiranën, SHBA sjell Escobar dhe u kujton sanksionet

Ditën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po mbante samitin e demokracisë në Uashington, i dërguari i tij për Ballkanin Gabriel Escobar zbarkoi në Tiranë. Mesazhet e tij ishin të qarta, asnjë tolerim ndaj zyrtarëve të korruptuar, duke nënkuptuar se “non gratat” nuk do ndalen.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, nuk e kurseu mbështetjen e hapur për Lulzim Bashën, vetëm 2 ditë para kuvendit të thirrur nga Sali berisha për shkarkimin e tij.

“Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington së shpejti.” 

Eskobar i shoqëruar  edhe nga ambasadorja Yuri Kim, qëndroi rreth 60 minuta në zyrën e Bashës i cili shoqërohej nga 4 nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Por burimet i thanë RTV Ora, se brenda këtyre minutave Basha dhe Eskobar kanë qëndruar dhe kanë folur në privatësi më shumë se 10 minuta.

Zyrtari i Lartë Amerikan, kërkoi përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare kundër korrupsionit, e këtu përmendi edhe sanksionet.

 “Jam gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare.”

Pasi përcolli zyrtarin e lartë të Shteteve të Bashkuara, Lulzim Basha, tha se objektivi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

"Është ajo për të ciën PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Që nga iniciativat tona për dekriminalizimin e politikës, tek miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, me insistimin e PD-së tek ligji për SPAK-un dhe BKH-në. Po kështu tek iniciativa jonë për vetingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar," tha Basha.

Por a u diskutua me Zëvendës ndihmës sekretari amerikan të shtetit  çështja e “non gratave“, të Sali Berishës, Lulzim Basha dha këtë përgjigje.

"Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve "non grata" ishin pjesë e diskutimit, ndërsa për sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të DASH jam i bindur që do keni mundësinë të dëgjoni drejtpërdrejt nga zoti Escobar qëndrimet e DASH," tha Basha.

Pas këtij takimi i dërguari i presidentit Biden vijoi me agjendën e takimeve, fillimisht me ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe për t’u drejtuar më pas drejt Kryeministrisë, aty ku për afro 1 orë zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama.

Lidhur me këto ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila ndër të tjera shkruan se i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Ai mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime.