Në pushtetin e ujit, shiu "paralizon" portet në Shqipëri, probleme nga bora në zonat malore

Stuhia me ere të fortë dhe shi të dendur e zgjati në 18 orë qëndrimin në det të hapur pasagjerëve të linjes Brindisi-Vlorë.

"Brenda në det, jemi lodhur jemi rraskapitur."

Trageti mbërriti që në orët e mëngjesit, por dallgët e forta e pamundësuan ankorimin në port deri në rreth orës 18.

"Nga Italia jemi nisur në orën 23:30 mbrëmë."

"Ishte shumë e lodhshme, shumë e mundimshme, e turpshme mbi të gjitha."

Reshjet e shiut ndërkohë kanë shkaktuar rrëshqitje masive  e për pasojë bllokim të rrugës kombëtare Vlorë-Radhimë, pranë vendit të quajtur Jonufër.

Siç tregojnë pamjet, dherat kanë marrë përpara edhe një makinë duke rrezikuar jetën e udhëtarëve aty.

Stuhia që erdhi nga deti riktheu edhe problematikën e vjetër të përmbytjeve në pjesën më të madhe të rrugëve të Vlorës.

Vonesa me tragetet ka edhe në Portin e Durrësit ku mbrëmjen e djeshme u shënua edhe një incident.

Trageti i linjës  Bari-Durrës, “RIGEL III”,  u përplas me kalatën nr.8, në pjesën e kiçit duke pësuar dëmtime e për pasojë udhëtimi u pezullua.

Në të gjithë vijën bregdetare ndërkohë është pezulluar dalja ne det e anijeve të vogla dhe peshkarexhave deri në qetësimin e situatës.

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin, duke krijuar problematika kryesisht në rrugë.

Nga ana tjetër, prurjet e lumit Drin po mbushin kaskadën e Drinit dhe banorët e Nënshkodrës i kanë sytë nga portat e Hecit të Vaut të Dejës.

Të dhënat tregojnë se aktualisht nuk ka gjasë të vendoset një hapje e portave, por asgjë nuk përjashtohet me shtimin e reshjeve.

Në zonat malore në veri e veri-lindje, problemet janë shkaktuar nga bora.