Ky është 39 vjeçari që humbi jetën në furgonin e policisë greke, Vëllai i Adem Rusit: E kanë vrarë, duam ekspertizë këtu
Ka mbërritur këtë të enjte, trupi i Adem Rusi që u raportua se u vetëvar gjatë dërgimit në burgun e Malandrinos. Vëllai i 39-vjeçarit përsëriti nga Korça kërkesën për një ekspertizë të re për shkaqet e vdekje.
Trupi Adem Rusit, që u raportua si i vetëvarur nga autoritetet greke në Burgun e Malandrinos, u është dorëzuar këtë 9 dhjetor 2021 familjarëve.
Këta të fundit kanë dyshime se ai është vrarë nga gardianët grekë, ndaj vëllai përsëriti kërkesën për ekspertizë mjeko ligjore në Shqipëri.
"Dua me çdo kusht që t'i bëhet ekspertiza. Dua të di shkakun e vdekjes që të fle rehat," tha vëllai.
Shkëlqim Rusi thotë se edhe nëse është e vërtetë se i vëllai u vetëvar brenda furgonit të policisë greke, edhe kjo është neglizhencë e autoriteteve greke.

Ndaj i bën thirrje shtetit shqiptar të ngrejë një strukturë për të mbrojtur të burgosurit në Greqi.
"Pas këtij mund ta kenë radhën të tjerët. Shteti ynë duhet të vërë strukturë në ambasadat tona që t'i ndjekin të gjithë të burgosurit," shtoi ai.
Ndër vite në burgjet greke kanë humbur jetën disa dhjetëra shqiptare, ku disa raste ata kanë qenë viktima të dhunës së gardianëve grekë.
