Balla i propozon Kuvendit një minutë heshtje për Bob Dole, mikun e shqiptarëve

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i propozoi sot Kuvendit një minutë heshtje ish-senatorin republikan, Bob Dole, që u nda nga jeta katër ditë më parë.

Balla evidentoi rolin dhe mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga SHBA dhe shtetet e tjera.

Balla: Dole për ne shqiptarët është një prej politikanëve republikanë amerikanë jo vetëm më mbështetës por një pprej atyre mbështetësve të pavarësisë së Kosovës në mënyrë të veçantë që janë investuar personalisht gjatë gjithë procesit të pavarësimit të Kosovës. Ne shqiptarët do ta kujtojmë Dole si njeriun që u angazhua shumë më herët se të tjerët në nbështetje të Kosovës dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të shtetit të ri të Kosovës.Lidhjet e senatorit me shqiptarët filluan që në fund të viteve '80-të ku Kosova ishte nën shtypjen e regjimit të Millosheviçit. Ishte politikani i parë që e vizitoi Kosovën në 1990.

Ish-senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98 vjeçare.

Në muajin shkurt të këtij viti, ish senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.