Do ndryshohet Kodi Penal: Kriminalizohet trafiku i armëve me kuti postare dhe printimi 3 D i armëve

Qeveria ka miratuar një plan të ri veprimi që synon parandalimin më tej të trafikut të armëve të lehta e të vogla si dhe mbajtjen e armëve pa leje në duart e civilëve.

“Miratuam një plan veprimi që parashikon parandalimin e posedimit të armëve pa leje në duart e civilëve, synon parandalimin e trafikut të armëve të lehta e të vogla dhe disiplinimin më të fortë të licencimit të përdorimit të armëve luftarake dhe të gjahut dhe disiplinimin e agjencive private të sigurisë" tha ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një prononcim për median pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Në këtë plan parashikohen dhe ndryshime në Kodin Penal.  

"Ne kemi parashikuar që të bëjmë disa ndryshime në Kodin Penal, dhe të kriminalizojmë disa figura të reja të krimit që kanë të bëjnë me trafikimin siç janë.., siç është ajo e trafikimit nëpërmjet kolive postare, apo kemi kriminalizuar përdorimin apo posedimin e pajisjeve që janë për të.., që mundësojnë printimin 3D të armëve."

Gjithashtu pjesë e këtij plan veprimi është dhe modernizimi i sistemit ndërlidhës me agjencitë e tjera ligjzbatuese si Europol e Interpol.