Dita Botërore kundër korrupsionit/ Ambasada e SHBA: Konfirmojmë përkushtimin për t'i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit, Ambasada e SHBA në Tiranë ka konfirmuar përkushtimin e Amerikës për t'i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ambasada e SHBA u bën thirrje gjitha vendeve që t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin, duke e cilësuar këtë të fundit si një kërcënim për sigurinë dhe barazinë ekonomike, si dhe një faktor që minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare.
"Korrupsioni kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare. Korrupsioni kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile në nivel global dhe çon në gërryerjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë, prandaj Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë përkushtimin tonë për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin", shkruhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Facebook.