Bora nuk ndal klandestinët, refugjati gjendet i ngrirë në Korçë, kapen trrafikantët drejt Kosovës

Kushtet atmosferike me borë e temperature nën zero dyshohet se janë shkaqet e vdekjes së një emigranti të paligjshëm në malin e Moravës në Korçë. Por dimri i ashpër në juglindje nuk po e ndal fluksin e klandestinëve që pasi hyjnë në Shqipëri synojnë Malin e Zi ose Kosovën.

Një tjetër emigrant nga vendet e lindjes humbi jetën gjatë tentativës për të kaluar përmes Shqipërisë në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE.

I riu, që u gjet i vdekur pasditen e së mërkurës në malin e Moravës, dyshohet se ka ndërruar jetë të paktën tre ditë më herët.

Ai është gjetur nga një grup klandestinësh, të cilët kanë ndjekur të njëjtin shteg kalimi dhe kanë qenë ata që lajmëruan policinë.

Ekspertiza për shkaqet e vdekjes do të bëhet në Tiranë, por dyshimet janë se i riu mund të ketë vdekur për shkak të lodhjes dhe kushteteve atmosferike që karakterizojnë juglindjen gjatë dimrit.

Në janar të këtij viti, një emigrant u gjet i pajetë në fshatin Grapsh të Devollit për të njëjtat arsye.

Që kur Shqipëria u përfshi në rrugën ballkanike të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të BE, fluksi nuk ndalet as në dimër.

Thuajse çdo ditë sipas të dhënave, 40 deri në 60 klandestinë kapen nga forcat e Frontex dhe ato të policisë kufitare.

Numri i lartë i emigrantëve dhe kërkesat e tyre për transport drejt kufijve verior me Malin e Zi ose Kosovën ka aktivizuar rrjete tranfikantësh.

Katër raste janë goditur nga Policia e Kukësit vetem në 24 orët e fundit, ku në pranga kanë përfunduar 4 persona.

Të arrestuar në Morinë

-Destan Arifaj, banues në Prishtinë.

-Ervin Dorzi, banues në Tiranë

-Edison Dorzi, banues në Tiranë

-Erion Tumani, banues në Tiranë

Ata po transportonin 46 klandestinë të cilëve kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person u kishin premtuar kalim të kufirit drejt Kosovës.

Vetëm gjatë muajit nëntor në Kukës janë goditur 17 raste të kësaj veprimtarie kriminale, ku janë arrestuar 16 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Në total janë kapur 93 shtetas nga vendet e treta, kryesisht nga Siria.