“Izolohen shtëpitë, falimenton biznesi”, banorë e sipërmarrës në Lushnje-Fier kundër aksionit të ARRSH-së
Banorë e përfaqësues të bizneseve përgjatë autostradës Lushnje-Fier janë në alarm.
Aksioni i Autoritetit Rrugor Shqiptar për mbylljen e hyrje-daljeve në rrugë i izolon dhe i çon drejt falimentit.
"Po ma mbyllën rrugën unë iki prapë në Itali, këta punëtorët pastaj…janë gjithë çuna të rinj."
Ndaj këtë të mërkurë u bënë bashkë dhe ngritën zërin për atë që e konsiderojnë padrejtësi.
"Nuk na kanë lajmëruar me një dokument por me një fjalë goje."
Para se të merrnin këtë aksion ekstrem, ARRSH-së dhe Qeverisë u kujtuan se duhet tu kishin ofruar zgjidhje alternative.
"Si ka mundësi, si nuk më njeh shteti mua kur bëj investime, paguaj taksa, kam makina në punë, punëtorë.Kemi të gjithë një hall këtu."
Në mbështetje kishin edhe deputetët demokratë Saimir Korreshi dhe Luan Baçi, të cilët u premtuan se shqetësimin e tyre do ta çojnë deri në Kuvend.
"Jemi në mbështetje të bizneseve, nesër është parlamenti dhe bashkë me kolegun Saimir absolutisht do ta ngrejmë si problem".
"Do kërkoj interpelancë me ministren Balluku".
Ndërhyrja e ARRSH për mbylljen e hyrje-daljeve në rrugët kombëtare është kundërshtuar dhe nga bizneset përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.

