Leva e marsheve i shërbente si "kasafortë" për kokainën, arrestohet shqiptari në Itali, i sekuestrohet mbi 6 kg drogë dhe 70 mijë euro

Karabinierët italianë arrestuan pasditen e djeshme, 7 dhjetor një të ri shqiptar me banim në Cesano Maderno me akuzën e transportit të kokainës.
Karabinierët e Montepulcianos, në Toskanë, ndaluan makinën e 30-vjeçarit në dalje të autostradës A1 në Chiusi.
Kërkimi i policisë bëri të mundur zbulimin e një ndarje të fshehtë dhe artizanale të vendosur nën levën e marsheve ku fshiheshin mbi tre kilogramë e gjysmë kokainë.
Kokaina e gjetur, e pastërtisë së lartë, kapte vlerën e përafërt rreth 400 mijë euro.
I riu shqiptar u arrestua për transport droge dhe u dërgua në burgun e Sienës në pritje për t'u paraqitur para magjistratëve të Prokurorisë Publike të Sienës
Karabinierët më pas ushtruan kontroll në banesën e shqiptarit, i cili banon me vëllain dhe kunatën.
Aty u gjetën edhe 3 kg të tjera kokainë dhe 71 mijë euro që mendohet se kanë ardhur nga trafiku i drogës.
Droga e sekuestruar nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 700 mijë eurove.
