Kapet me 39 mijë euro dhe pajisje për kriptomonedha, prangoset maqedonasi në Morinë
Policia Kufitare në Kukës dhe autoritetet doganore kanë goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Pas kontrolleve nga autoritetet e pikës kufitare, janë sekuestruar 39.000 euro dhe një pajisje për prodhimin e kriptomonedhave.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Kukës dhe autoritetet doganore, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin B. B., 33 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 39.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar, si dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për prodhimin e kriptomonedhave.” – bën me dije policia.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi B. B., për veprën penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi".
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
