Vrau familjen për 1 certifikatë vaksinimi false, detaje tronditëse nga krimi në Gjermani. Çfarë thotë babai në letrën e lamtumirës
Gjermania u trondit nga lajmi se 5 persona të së njëjtës familje u gjetën pa jetë në banesë, të gjithë të masakruar me thika dhe armë, më 4 dhjetor. Familja me 3 fëmijë ndodhej në karantinë dhe fillimisht për policinë nuk ishte e qartë nëse autori ishte një nga viktimat apo dikush nga jashtë.
Detaje tronditëse kanë dalë në dritë. Mësohet se babai i cili vrau gruan dhe 3 fëmijët para se të vriste dhe veten kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi për gruan dhe kishte frikë se do të humbnin fëmijët kur të zbulohej.
Policia gjeti dy të rritur, të dy 40 vjeç dhe tre fëmijë të moshës 4, 8 dhe 10 vjeç të vdekur në një shtëpi familjare në Koenigs Wusterhausen në jug të Berlinit të shtunën.
Në një shënim lamtumire të gjetur nga policia, burri tha se kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi për gruan e tij. Punëdhënësi i saj e kishte marrë vesh, duke bërë që çifti të frikësohej se do të arrestoheshin dhe do të humbnin fëmijët e tyre, tha prokurori Gernot Bantleon për Reuters.
Policia u thirr në shtëpi pasi u alarmua nga dëshmitarët që kishin parë trupa të pajetë në shtëpi, thanë policia dhe prokurorët.
Rasti i tmerrshëm vjen pasi Gjermania ka forcuar kufizimet në përpjekje për të frenuar një valë të katërt të pandemisë së koronavirusit. Nga muaji i kaluar, punonjësve u është kërkuar të tregojnë se janë vaksinuar, rikuperuar ose test negativ për COVID-19.
Autoritetet gjermane ranë dakord javën e kaluar të ndalojnë aksesin e të pavaksinuarve në të gjitha bizneset, përveç atyre më thelbësore, si dyqanet ushqimore, farmacitë dhe furrat e bukës, dhe gjithashtu planifikojnë ta bëjnë vaksinimin të detyrueshëm për disa punë.

