Basha: SHBA nuk ka qëndrime personale ndaj Berishës, vizita e Escobar një sinjal i qartë
Për Lulzim Bashën qëndrimet amerikane janë të qarta lidhur me çështjen e Berishës, duke thënë se nuk janë qëndrime të personalizuara.
Ai në një intervistë për News24 tha se edhe vetë vizita e zotit Escobar është në këtë aspekt një tjetër sinjal i qartë që këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale.
Basha shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit, sidomos në një vend si Shqipëria.
Pyetje: Pritet që në Shqipëri të vijë këtë jave i dërguari special nga SHBA, zoti Escobar ku do te zhvilloje takim me kryeministrin Edi Rama dhe ju. Zoti Basha çfarë pritshmërish keni ju me ardhjen e zotit Escobar, takimin që do të zhvilloni ne dritën e marrëdhënieve te reja që keni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Lulzim Basha: Më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit. E kanë bërë këtë në një kontekst më të gjerë se Shqipëria, por në veçanti për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse ky është dhe problemi kryesor i Shqipërisë, korrupsioni, pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, janë burimet kryesore të të keqes së shqiptarëve, të gjendjes ekonomike, të papunësisë, të mungesës së shpresës së popullsisë në tërësi dhe të rinjve dhe të rejave shqiptare në veçanti. Ndaj këto do të jenë patjetër në fokus të bisedës sime me zotin Escobar.
Pyetje: Z. Basha a ka lidhje kjo vizite dhe me zhvillimin e 2 kuvendeve ne Partinë Demokratike?
Lulzim Basha: E para e punës, nuk ka 2, por ka një kuvend dhe ai është më 18 dhjetor, është kuvendi i Partisë Demokratike. Ngjarjet e tjera janë pa diskutim, zhvillime të cilat kanë rrjedhur nga shpallja non-grata e zotit Berisha dhe për këtë qëndrimet Amerikane janë të qarta. Iluzioni se këto janë qëndrime të personalizuara, me të cilin ushqen zoti Berisha disa njerëz apo mbështetës të tij, pra i keqpërdor në këtë mënyrë, ka përgjigje dhe besoj edhe vetë vizita e zotit Escobar është në këtë aspekt një tjetër sinjal i qartë që këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale. Por ne duhet ta tejkalojmë këtë, ne nuk mund të mbetemi peng i një debati të stisur për hallet personale të Sali Berishës. Detyra e Partisë Demokratike, është ti prijë shqiptarëve në përballje me rrëgjimin.
