‘Semafori’ që do drejtojë Gjermaninë
Kancelari i zgjedhur i Gjermanisë, Olaf Scholz i cili do të betohet të mërkurën, ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me partinë liberale Demokratët e Lirë dhe Të Gjelbrit.
Unë dua që vitet 20 të jenë kohë e fillimeve të reja tha Scholz për të përjavshmen Die Zeit, duke deklaruar se do të çojë përpara modernizimin më të madh industrial që do të jetë në gjendje të ndalojë ndryshimet klimatike.
Kthimi i të majtës në pushtet në ekonominë më të madhe të Evropës, atë të Gjermanisë mund të ndryshojë ekuilibrat në një kohë kur kontinenti evropian ende është i lëkundur nga Brexit.
63-vjeçari social demokrat zbuloi të hënën 16 ministrat e rinj të kabinetit të ri, ku 8 prej tyre do të jenë femra.
Semafori gjerman, i cili quhet ndryshe koalicioni me 3 parti do të drejtojë Gjermaninë në një kohë kur vendi përballet me një valë të katërt të pandemisë.
Olaf Scholz udhëhoqi socialdemokratët drejt fitores kundër bllokut konservator CDU-CSU në shtator, ndërsa kancelarja Merkel përgatitej të largohej nga politika pas katër mandatesh radhazi në detyrë.

