Bosnja arreston 5 ish-ushtarë për krime lufte në Sarajevë
Policia e Bosnje Hercegovinës ka arrestuar 5 persona të dyshuar si të përfshirë në krime lufte dhe krime kundër civilëve serbë që ishin të burgosur gjatë luftës në Bosnjë në periudhën 1992-1994.
Sipas autoriteteve boshnjake, 5 ushtarakët kanë vrarë 8 civilë dhe kanë plagosur mbi 100 të tjerë. Të arrestuarit akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, abuzim, punë të detyrueshme, keqtrajtim fizik e mendor, si dhe vrasje.
Të burgosurit ishin mbajtur ilegalisht gjatë periudhës së luftës në kampe, që gjendeshin në një shkollë dhe në një ndërtesë të papërfunduar në Sarajevë.
Javën e kaluar policia boshnjake arrestoi edhe 7 persona të tjerë të cilët kishin lidhje me krimet e luftës në vitet ’92-’95.
Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes të Bosnjes tha se edhe policia serbe ishte pjesë e operacioneve pasi disa nga viktimat e dhunës tani jetojnë në Serbi.
Mbi 100,000 persona u vranë gjatë konfliktit në Bosnje, që përfundoi pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA, që ndau administratën e shtetit në linja etnike në mesin e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.
