Malala i kërkon Amerikës të ndërmarrë veprime për t'i kthyer vajzat afgane në shkollë
Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe njëherësh fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin veprime për të siguruar që vajzat dhe gratë afgane të kthehen në shkollë dhe në punë.
Malala u takua të hënën, 6 dhjetor, me sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken, duke thënë se synon të arrijë barazimin e vajzave në arsim.
Përpara fillimit të takimit të tyre me dyer të mbyllura, Yousafzai vuri në dukje se "Afganistani tani është i vetmi vend ku vajzat nuk kanë akses në arsimin e mesëm."
“Kam punuar së bashku me vajzat afgane dhe gratë aktiviste dhe ky është mesazhi i vetëm i tyre: se atyre duhet t’u jepet e drejta për të punuar. Ato duhet të jenë në gjendje që të shkojnë në shkollë”, tha ajo më 6 dhjetor.

“Pra, ky është mesazhi që kanë vajzat afgane tani: Ne duam ta shohim një botë ku të gjitha vajzat kanë qasje në shkollim të sigurt dhe cilësor”, tha ajo, teksa prezantoi një letër drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden nga një vajzë 15 vjeçe nga Afganistani e quajtur Sotodah.
Sipas Yousafzai, kjo vajzë ka shkruar në letrën e saj se “sa më shumë që shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të mbyllura për vajzat, aq më shumë do të zbehet shpresa për të ardhmen e tyre”.
Që nga 15 gushti, kur talibanët morën kontrollin e shtetit në mesin e muajit gusht, shkollat në Afganistan janë rihapur, por shumica vetëm për djemtë.
Në moshën 15-vjeçare më 2012, Malal u qëllua me armë zjarri në kokë, teksa po udhëtonte me autobusin e shkollës. Ajo u qëllua nga sulmues talibanë në Luginën Svat në veriperëndim të Pakistanit, për arsye se kishte bërë fushatë për shkollimin e vajzave, që kundërshtohet nga grupi ekstremist.
Malala fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2014 për shkak të fushatës së saj për mbështetjen e shkollimit të vajzave.


