“Gojë, këmbë, duar” prek masivisht fëmijët në Vlorë, deri në 60 vizita në ditë
Në kopshtet dhe çerdhet e Vlorës përgjatë muajve tetor dhe nëntor ka pasur një numër të lartë infektimesh tek fëmijët me sëmundjen ngjitëse koksaki, e njohur ndyshe si “Gojë, këmbë, duar”. Mjekët flasin për shifra të shtuara ndjeshëm, ndërsa rekomandimi i vetëm është qëndrimi në shtëpi larg fëmijëve të tjerë.
Sëmundja ngjitëse “Gojë, Këmbë, duar” ka prekur edhe një numër të lartë fëmijësh në Vlorë gjatë dy muajve të kaluar.
Siç e konfirmon edhe shefja e pediatrisë së këtij qyteti, Rina Llanaj, në spitalin rajonal të Vlorës numri i vizitave tek fëmijët shkon nga 50 deri në 60 vizita mesatarisht në ditë.
"Prek moshat e vogla, parashkollore dhe moshat e kopshtit. Kjo ndodh për shkak të kontaktit të ngushtë që kanë në ambjentet publike. Numri i vizitave në 24 orë shkon në 50-60."
Pjesa më e madhe e fëmijëve e kanë kaluar me simptoma të lehta, ndërsa disa prej tyre ju është dashur që për një periudhë prej 15 ditësh të qëndrojnë në shtëpi.
Kopshtet dhe çerdhet e Vlorës janë bërë burim infeksioni i sëmundjes ngjitëse, e njohur ndryshe si koksaki, ndërsa për trajtimin e saj nuk ka mjekim dhe rekomandohet vetëm qëndrimi në shtëpi pa kontakte me fëmijë të tjerë.

