Studim: Cilët persona të vaksinuar kundër Covid sëmuren dhe shtrohen në spital?
Megjithëse qytetarët e pavaksinuar përbëjnë përqindjen më të madhe të të shtruarve në spital me COVID-19, kohët e fundit është parë një numër në rritje i shtrimeve në spitale tek individë të vaksinuar që nuk kanë marrë dozën përforcuese.
Çështja se cilët persona të vaksinuar sëmuren dhe trajtohen në spital është thelbësore. Kohët e fundit, ka pasur një pjesë të madhe të hulumtimeve gazetareske në Shtetet e Bashkuara.
Mjekët e Klinikës Terapeutike të Shkollës Mjekësore të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës kanë bërë një përmbledhje të studimit amerikan.
Konkretisht, janë studiuar të dhënat mjekësore nga 21 milionë persona të vaksinuar plotësisht.
Është konstatuar se në mesin e njerëzve të vaksinuar plotësisht, ata që kanë më shumë gjasa të trajtohen për Covid-19 janë të moshuarit dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.
U zbulua se individët me diabet, sëmundje pulmonar kronike, ose sistem imunitar të dobët janë dyfish më të rrezikuar në krahasim me individët e vaksinuar pa sëmundje të tilla.
Tek individët e vaksinuar plotësisht pa sëmundje themelore vetëm 7.5% e rasteve kërkonin shtrimin në spital , ndërsa te pacientët me sëmundje kronike të veshkave për shembull 25% e tyre ishin shtruar në spital.
Të moshuarit janë veçanërisht të prekshëm, sepse me kalimin e moshës sistemi imunitar dobësohet. Rreth 80% e vdekjeve nga sëmundjet pas vaksinimit të plotë janë te njerëzit 65 vjeç e lart.


