Varianti i ri Omicron, Manastirliu: Do dërgojmë mostrat për analizim për të parë nëse qarkullon në Shqipëri
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.
“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik, por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne”, tha Manastirliu.
Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.
“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën,” tha Manastirliu.
Lidhu me masat anticovid, Manastirliu tha:
“Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid-19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se “Omicron" nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë. Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj.
