Çfarë dimë deri tani për variantin e ri Omicron? Llanaj: Të vaksinuarit mund të infektohen, por do jenë larg spitaleve
Varianti i ri i koronavirusit, Omicron është duke u hapur në shumë vende të botës, ndërsa shumë shtete kanë vendosur masa kufizuese udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut, ku u identifikua fillimisht ky variant.
Doktori i shkencave Erand Llanaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se është një situatë e cila nuk ka shumë fakte për t'u shqetësuar, por nuk ka as shumë fakte që të mos shqetësohemi në këtë moment.
Për sa i përket pandemisë Covid në tërësi, Llanaj u shpreh se variantet e reja përhapen pavarësisht dëshirave apo planeve tona.
Llanaj: OBSH, 3 ditë më parë e ka shpallur variantin e ri Omicron shqetësues. Unë e kam parë këtë variant dhe shikoj se ai është dukshëm i ndryshueshëm nga variantet e tjera me një numër të lartë mutacionesh. Nga provat paraprake laboratorike shihet që shumica e këtyre 30 mutacioneve lidhen me një potencial nga prova të mëparshme për shmangie të lartë të patrullës imunitare, gjithashtu ka teorikisht një transmetueshmëri më të lartë. Nuk ka indikacione që aftësia neutralizuese e imunitetit të atyre që e kanë kaluar ose janë vaksinuar ka humbur, por është reduktuar paksa.
Doktori u shpreh se ka ende disa paqartësi për efektin që mund të ketë ky variant në dinamikën e pandemisë. Nuk dihet saktësisht se sa më shumë i trasmetueshëm është ky variant në krahasim me të tjerët.
Llanaj: Paqartësia e dytë momentale lidhet me efektivitetin e vaksinave ndaj këtij varianti për sa i përket riinfektimit dhe infektimit. Nga studimet kemi parë që individët që e kanë kaluar këtë variant kanë një potencial më të lartë riinfektimi. Ajo që është e sigurt është që vaksinat i mbajnë njerëzit larg spitalit. Njerëzit mund të infektohen dhe pasi janë vaksinuar dhe mund ta transmetojnë virusin, por më pak. Gjithsesi nuk ka ende prova që të dalim në konkluzione shumë të forta.
Mjeku u shpreh se është për të ardhur keq që vende të zhvilluara, të cilat ne i shohim si modele mbyllin kufijtë apo kufizojnë lëvizjet për vende që identifikojnë variante. I pyetur se kur do mbarojë pandemia, Llanaj tha se nuk mendon që do mbarojë, por ne do ta fusim në axhendë ashti siç kemi futur gripin sezonal, viruse të tjera apo viruse sezonale.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
