Në valën e katërt të Covid? Mjekja: Pacientët kryesisht mbi 60 vjeç, më shumë fluks në dy muajt e fundit

Personat e shtruar në spitalin infektiv janë kryesisht pacientët mbi 60 vjeç, ndërsa raportohet se në të shtrohen rreth 15 persona në ditë. Një rritje e lehtë vërehet në dy muajt e fundit, deklarojnë mjekët, ndërkohë që është ulur edhe përqindja e të vaksinuarve mes pacientëve në spital.

Rreth 90-95% e personave të shtruar në spitalin infektiv kanë qenë të pavaksinuar, por ky trend, thotë infeksionistja Elda Qyra ka ndryshuar duke pësuar një ulje të lehtë.

"Mund të ketë ndoshta pak rënie si trend, por gjithsesi mbetet një mbizotërim i personave të pavaksinuar që janë të hospitalizuar në spital," tha Qyra.

Rreth 15 pacientë shtrohen çdo ditë në spitalin infektiv. Mjekja infeksioniste tregon për situatën atje, teksa thotë se grupmosha më e prekur është ajo mbi 60 vjeç.

"Ka një fluks ardhje, rreth 15-16 pacientë në 24 orë, moshat janë të ndryshme, kryesisht është një moshë mesatare te 60-70 vjeç, pro nuk përjashtohen dhe mosha më të reja rreth 40-50 vjeç. Mbizotëron Tirana, pasi popullsia është më e madhe, por ka dhe nga rrethet," tha mjekja.

Mes tyre nuk kanë munguar as personat pozitiv me HIV.

"Unë kam pasur vetë 2 pacientë të tillë të cilët janë qenë HIV pozitiv të njohur, me mjekim prej shumë vitesh dhe e kanë kaluar shumë mirë Covid, pavarësisht se në momente të caktuara kanë pasur nevojë për oksigjen. Nuk kanë qenë të vaksinuar sepse nuk kishte filluar fushata e vaksinimit," tha Qyra.

Në valën e katërt të Covid? Mjekja: Pacientët kryesisht

Pacientët post covid që kanë pak kohë që e kanë kaluar virusin, dërgohen në spitalin infektiv, kryesisht për problemet me mushkëritë, ndërsa ata long covid transportohen në shërbimet e tjera.

"Të afërtat në përgjithësi vijnë në spitalin tonë sepse m,ë së shumti kanë të bëjnë me anën pulmonare dhe më të pakta janë ato që kanë të bëjnë me komplikacione të tjera që mund të jenë kardiake. Për më të largëtat sigurisht që janë nëpër pavionet përkatëse," tha mjekja.

Megjithatë numri i të shtruarve në dy spitalet covid, nuk kalon më shumë se 160 persona, mes tyre ka edhe nga ata që kërkojnë të largohen e të shkojnë në struktura private.