Objekti pa leje në Llixha çon në pranga dy inspektorë të IMT Elbasan dhe punëtorët, në kërkim pronari

Ky objekt me sipërfaqe 5000 metra katror që po ndërtohej pa leje në zonën e mbrojtur të Llixhave në Elbasan ka zbuluar një tjetër rast korrupsioni në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit pranë bashkisë së Drejtuar nga Gledian Llatja.

Ndërtimi financohej nga 64-vjeçari me Todi Puka, pronar i një tjetër hoteli në zonën e Llixhave,i cili dyshohet se përmes korrupsionit ka ndikuar tek funksionarë lokalë për të hedhur beton duke shkelur ligjin.

Abuzimi është zbuluar nga policia e cila pas verifikimeve u ka vënë prangat inspektorëve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan, Donald Ziu, 28 vjeç dhe Alian Zabeli 34 vjeç.

Ky i fundit ishte proceduar vetem pak ditë më parë me dyshimin se kishte lejuar një tjetër ndërtim pa leje në zonën e Llixhave në Elbasan.

Financuesi i objektit pa leje dhe korrupsionit të zyrtarëve të Bashkisë Elbasan, Todi Puka deri më tani i ka shpëtuar arrestimit dhe ndodhet në arrati.

Në prangat e policisë përfunduan dhe punëtorët që po ndërtonin hotelin në zonën e mbrojtur pa asnjë dokumentacion, përkatësisht:

-Indrit Çekrezi

-Xhoi Pullumbi

-Kristo Gjyla

-Albion Dedja

-Shkëlqim Vlashi

-Selman Vlashi

-Kledis Muça

Operacioni “Llixhat” ka nisur rreth dy javë më parë nga Policia e Elbasanit e cila ka vënë nën shenjestër raste të dyshuara korrupsioni mes punonjësve të IMT-së së Bashkisë Elbasan.

Më 22 nëntor, ish-kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan, Mario Qosja, 38 vjeç, u arrestua për favorizimin e një ndërtimi 1200 metër katrorë pa leje nga Ndriçim Kuqja po në zonën e Llixhave.