"BUM": Shtëpia e 66 vjeçarit në Lezhë "baza" e tritolit C-4, detonatorë, granata e drogë. Në Lurë i gjejnë gjysmëautomatik
Tritoli dhe eksplozivët janë kthyer në mjete kërcënuese dhe shantazhi vitet e fundit në vendin tonë. Një 66-vjeçar është arrestuar në Lezhë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij policia gjeti lëndë eksplozive, granata, kapsollë armë dhe drogë.
Shefki Brunga 66-vjeç ka rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi në banesën e tij janë gjetur një sërë municionesh luftarake.
Blutë e Lezhës njoftuan se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Brungës në qytetin e Lezhës, u gjetën dhe sekuestruan 6 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kanabis, 930 fishekë, 6 kallëpe lëndë eksplozive C-4, 7 granata difensive, 22 ndezës për granata, 99 kapsolla detonatore, pajisje metalkërkuese, kundërgaz ushtarak, 3 krehra dhe 3 aparate celulare.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Dibrës, në banesën tjetër të këtij shtetasi në Lurë, është gjetur një armë zjarri pushkë gjysmëautomatike.
66-vjeçari do të përballet me akuzat e "Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ende nuk dihet nëse ai kishte bashkëpunëtorë të tjerë në aktivitetin e tij kriminal, ndërsa gjithashtu misterioze mbetet arsyeja pse Brunga mbante kaq shumë municion luftarak në shtëpinë e tij.
Pak ditë më parë në të njëjtin qytet në Lezhë, u vunë në pranga dy persona që trafikonin lëndë plasëse nga Miloti drejt Shkodrës.
Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç banues në Dibër u kapën në aksin e vjetër Milot-Lezhë teksa po udhëtonin drejt kryeqendrës së veriut me një makinë të mbushur me eksploziv.
Brenda kësaj çante u gjetën 30 kallëpe C4, një eksploziv i fuqishëm dhe 17 kapsolla detonatore.
Kërcënimet dhe shantazhet me lëndë plasëse në makina e në dyert e shtëpive janë kthyer vitet e fundit në një mjet kërcënues në Shqipëri.



