U "tradhtuan" nga Manastirliu, para dhe tetraplegjikët i zënë “pritë” Edi Ramës, kryeministri i premton takim pas kthimit nga SHBA

Protesta e para dhe tetraplegjikëve është zhvendosur këtë të enjte para parlamentit. Ata kërkuan zbatimin e një sërë kërkesash të tyre ekonomike, të firmosura nga ministria e Shëndetësisë dy vite më parë. Situata e krijuar para parlamentit e detyroi kryeministrin Edi Rama të linte seancën plenare dhe t’i takonte ata. Pas një bashkëbisedimi të shkurtër, Rama delegoi ministren e Shëndetësisë dhe atë të Ekonomisë dhe Financave për të nisur javën e ardhshme një diskutim më të gjerë për problemet deri në zgjidhjen e tyre.

Të tradhtuar nga qeveria e cila prej dy vitesh nuk i ka dhënë zgjidhjeje asnjërit prej halleve të tyre, edhe pse kishin firmosur një marrëveshje për to, para dhe tetraplegjikët, në mes të shiut u detyruan të mblidheshin jashtë dyerve të parlamentit dhe të protestonin për të drejtat e tyre.

Ata mblodhën disa qindarka mes njëri-tjetrit dhe në shenjë simbolike i hodhën në rrugën që përshkojnë deputetët, ata që vendosin për fatin e tyre.

Mes vështirësish dhe përplasjeve verbale me policët për bllokimin e rrugës, ky target grup i zuri pritë kryeministrit Edi Rama në momentin kur ai doli nga séanca plenare.

I nisur për të bërë dozën tjetër të vaksinës, kryeministri Edi Rama u detyrua t’i dëgjojë, duke iu premtuar takim me ministren e Shëndetësisë.

"Kemi bërë dhe marrëveshje me ministrinë e shëndetësisë në 2019, por kemi pritur implementimin e këtyre marrëveshjeve. Këta njerëz kanë nevojë që të kenë parametra ekonomikë, të jenë të pavarur."

Por dhe takim e bisedime me të,ndoshta pas kthimit nga SHBA.

"Nesër do shkoj në SHBA, kur të kthehem do merrem me këtë punë," tha Rama.

Pas takimit dhe dëgjesës me ministren Manastirliu dhe atë të ekonomisë dhe financave Ibrahimaj ata të premten e javës që vjen arritën të lënë një takim për të kërkuar zgjidhje të 7 pikave të propozuara.

"Këto kërkesa janë jo të ezauruara, por janë të tjerrura."

"E marrim këtë angazhim që brenda javës së ardhshme të bëjmë një analizë," tha Ibrahimaj.

Ata kërkojnë zbatim të marrëveshjes që kanë bërë me ministren e shëndetësisë që në vitin 2019 dhe më shumë ndihmë e mbështetje për ta ,pasi në të kundërt nuk ia dalin dot.

Edhe të nesërmen ky target-grup do të zhvillojë një marshim nga sheshi Skënderbej drejt sheshit Nënë Tereza në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.