Me taksi nga Saranda në Kukës, arrestohen 2 shoferët që transportuan 5 emigrantë
Dy persona janë arrestuar pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.
Emigrantët ishin marrë në Sarandë dhe më pas do të çoheshin në Kukës me qëllim kalimin në Kosovë, me destinacion final vendet e BE-së. Operacioni u kodua “TAKSIA”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve V. B., 46 vjeç dhe B. T., 21 vjeç.
“Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet taksi, kundrejt shpërblimit monetar, 5 emigrantë që kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit me shtetin grek, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së” informon Policia.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 5 shtetasit e huaj, për veprën penale "Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror".
Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
