"Se ku hyn Jugosllavia e Re nuk e gjej dot?" Rama: Krahasim absurd për të cënuar Ballkanin e Hapur, interes kombëtar e publik

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se nisma Ballkani i Hapur është me interes kombëtar dhe se Kosova humbet një shans nëse nuk bëhet pjesë.

Rama: Se ku hyn Jusollavia e Re nuk e gjej dot. Bëhet fjalë për një hapësirë ku ne duam dhe unë synoj zbatimin e katër lirive të BE. Nëse qarkullimi i lirë i qytetarëve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve ishte diçka e siguruar në  Jugosllavi i bie që BE na qenka Jugosllavia ndërkohë. Është krahasim absurd i panevojshëm, i pakuptimtë,  një lojë fjalësh për të cënuar nismën që për mua është interes kombëtar dhe publik.

Në interpelancën e thirrur nga deputeti i opozitës Tritan Shehu, Rama mohoi që Open Ballkan të jetë një platformë serbe apo ruse.

Rama: Ka pyetje që lidhen me gjeopolitikën, jo Rusia. Jo Kina, jo shejtani. Sesi mund të jetë një vizion rus apo kinez vizioni i procesit të Belinit nuk e di. Di që Ballkani i Hapur është njësi zbatimi i Procesit të Berlinit, kemi ftuar të gjitha vendet të bëhen pjesë. Kosova humbet një shans edhe atë çka përbën problemin më të madh që kemi me Serbinë si dy shtete duke munguar në atë tryezë. Historia tregon se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike dhe nxitja e marrëdhënieve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike.

Në përgjigje të 14 pyetjeve të adresuara nga Tritan Shehu, Rama tha se kjo nismë është e bazuar në katër liritë themelore të BE.

Rama: Kamionët e import-eksportit shpenzojnë 28 milionë orë në kufijtë e këtij rajoni për shkak të pengesave të shumëfishta administrative, burokratike dhe në mungesë të një kuadri të përbashkët rregullator mes vendeve. Vetëm në orët e pritjes u kushton vendeve 1% të Prodhimit të Përgjithshëm të vendeve. Kuadër i ndërtuar mbi katër liritë e BE, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Për të kaluar tranzit në Malin e  Zi vetëm kostoja për kontrollin veterinar është 80 euro+20 euro për agjencinë doganore, 100 euro për çdo kalim, nuk flas për koston e kohës së pritjes. Mekanizmi i Ballkanit të Hapur dhe gjithë këto marrëveshje që po bëjmë dhe i kemi futur në rrugën e zbatimit, disa prej të cilave do të firmosen pak javë më vonë para festave këtu në Tiranë do të bëjnë që lehtësia që do tu krijohet të gjitha kompanive që shkojnë rreth 500 kompani shqiptare të  etë eksponenciale në raport me vështirësitë që kanë sot. Ju sugjeroj ti kontaktoni dhe ti pyesni. 57 janë subjekte eksporti të fruta-perimeve, mall shumë vunerabël në raport me kohën e transportit.

Sa i takon Procesit të Berlinit, Rama tha se mbeti vetëm në letër.

Rama: Mbetja në letër e gjithë dokumentave të miratuar bashkarisht nga samiti në samit. Shqipëria ka luajtur një rol proaktiv në tregun e përbashkët rajonal por marrëveshjet mbeten pezull. Është e pamundur që punët tonë, të shteteve tona, për interesat tona në këtë rajon të na i bëjnë aleatët, miqtë e çmuar që kanë shumë punë të tjera dhe nuk mund të merren me menaxhimin e vendeve tona apo rajonit tonë. Po të shihni kalendarin e  samiteve të Procesit të Berlinit, nga një samit në tjetrin kemi boshllëk. Çfarë diskutohet dhe firmoset mbetet pa u jetësuar.

Replikon Shehu: Po u bëni dëm shqiptarëve!

Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, tha se kjo nismë përjashton Kosovën dhe është në interes të kryeministrit Vuçiç për krijimin e Jugosllavisë së re.

Shehu: Bëtë vetëm demagogji, u përpoqët të justifikonit të pajustifikueshmen. Ju zoti kryeministër t’i biem drejt, ju me rolin tuaj në krah të Vuçiçit po i bëni një dëm të madh shqiptarëve, qoftë bashkëpunimit rajonal, qoftë ekonomisë dhe qoftë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ideja e krijimit të Jugosllavisë së re me Shqipërinë brenda, minus Slloveninë dhe Kroacinë, ka lindur përpara një dekade. Në Serbi këtë e ngjalli Vuçiç me modelin e Titos. Gjatë përpjekjeve për të krijuar Jugosllavinë e re u hodh ideja e shkëmbimit të territoreve. Opsioni i ndarjes së Kosovës, ra për shkak të qëndrimit të partnerëve, por dhe të alarmit që dhanë shumë faktorë ndërkombëtarë kundër tij. Sa herë jeni pyetur për çështjen e kufijve atëherë ju thoshit se do ta shikoni ju që Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Pa asnjë dyshim pas kësaj ishte projekti i Beogradit që pjesa e mbetur e Kosovës t’i bashkohej Shqipërisë. Dështimi i politikave të ndryshimit të kufijve nxori në pah idenë e krijimit të Jugosllavisë së re përmes Mini-shengenit Ballkanik fillimisht që më pas u quajt Open Balkan.

Por nga ana tjetër Kryeministri nënvizoi se Kosova nuk duhet te mungojë në atë tryeze, e cila përkrah interesat e përbashkëta ekonomike të vendeve tona.

Deputeti i opozitës e cilësoi Open Ballkan si një nismë të dështuar dhe i kërkoi kryeministrit të japë dorëheqjen.

Megjithë kritikat dhe kundërshtimet, Kryeministri tha se nuk e ndryshon qëndrimin e tij në lidhje me nismën rajonale dhe shtoi se do të vazhdojë marrëveshjet në kuadër të Open Ballkan.