Biden: Variant i ri shkak për shqetësim por jo për ​​panik

Presidenti amerikan, Joe Biden, iu adresua popullit amerikan në një kohë kur bota po përballet me një valë të re pandemie të shkaktuar nga varianti Omikron. 79-vjeçari iu bëri thirrje amerikanëve që të mos frikësohen, pasi SHBA do ia dalë njësoj siç bëri me variantet e tjera të Covid-19.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, iu bëri thirrje amerikanëve se varianti i ri Omikron është shqetësues, por nuk ka vend për panik.

Biden deklaroi se nuk kishte nevojë për bllokime të gjera, nëse respektohen masat në fuqi të pandemisë.

"Nëse jeni të vaksinuar dhe vendosni një maskë, nuk ka nevojë për karantinë".

Ai u bëri thirrje rreth 80 milionë amerikanëve të pavaksinuar të moshës 5 vjeç e lart që të marrin vaksinat e tyre, si dhe ftoi amerikanët të marrin dozën e tretë përforcuese të vaksinës.

"Ju duhet të vaksinoheni, nëse i keni marrë të dyja dozat, merrni dozën përforcuese, nëse jeni të pavaksinuar, merrni dozën e parë, herët a vonë ne do ta kemi prezent në SHBA variantin omikron, do të përballemi me këtë kërcënim të ri njësoj siç jemi përballur me variantet e tjera".

Biden javën e kaluar ndaloi udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera në Afrikën Jugore, në mënyrë që shkencëtarët të kishin më shumë kohë për të mësuar rreth variantin Omikron.

Varianti i ri Omikron është shfaqur në shtete të ndryshme të botës duke përfshirë edhe disa shtete në kontinentin evropian.