Bisedimet bërthamore me Iranin, palët optimiste për marrëveshje

Irani dhe përfaqësuesit e Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u mblodhën në Vjenë këtë të hënë. 

Palët do të diskutojnë për një marrëveshje të re bërthamore. Atë të vitit 2015 që u arrit nga administrate Obama, e braktisi administrata e presidentit Trump, teksa në këto mbledhje Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë. Mesazhet do t'u transmetohen përfaqësuesve amerikanë nga paklë të treta, ngaqë Irani përsëri refuzoi të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta, pasi sipas tyre, SHBA-të nuk janë më anëtarë të marrëveshjes.

Pjesëmarrësit në takim pritet të bien dakord për një udhërrëfyes të përgjithshëm për të ardhmen e negociatave. Më herët janë zhvilluar gjashtë raunde bisedimesh të cilat u ndërprenë në qershor për të lejuar presidentin e zgjedhur të Iranit Ebrahim Raisi të formojë administratën e tij.

Disa takime jozyrtare, duke përfshirë një takim trepalësh midis Iranit, Kinës dhe Rusisë, dhe një tjetër midis negociatorit të lartë të Iranit Ali Kani dhe Enrique Mora të Bashkimit Evropian, u mbajtën të dielën për të vendosur piketat kryesore në negociata.

Nëse bisedimet rezultojnë të suksesshme, amerikanët do të heqin sanksionet e tyre për Iranin dhe Irani ndërkaq do të zotohet për reduktimin e programit të tij bërthamor.