Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes padit Pentagonin për redaktimet e kujtimeve
Mark Esper, ish-shefi i Pentagonit, ka paditur zyrën që ai ka drejtuar se po e pengon në botimin e kujtimeve të tij. Sipas ish-zyrtarit të lartë, redaktorët e Pentagonit i kanë censuruar 60 faqe nga libri me kujtime në mënyrë të padrejtë.
Ish-sekretari amerikan i mbrojtjes Mark Esper ngriti padi këtë të diel ndaj institucionit që ai ka drejtuar, Pentagonit, pasi zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes kërkuan që ai të redaktonte rreth 60 faqe nga libri me kujtime që do të botojë.
Sipas padisë që ka ngritur, ish-sekretari Esper ka thënë se shkurtimet janë të rëndësishme për të treguar histori të rëndësishme gjatë kohës që ishte pjesë e kabinetit të ish-presidentit Donald Trump.
Botimi i kujtimeve i planifikuar për në maj të vitit 2022, sipas Esperit është redaktuar në mënyrë arbitrare nga Departamenti i Mbrojtjes.
Veterani i Luftës së Gjirit tha se priti gjashtë muaj që procesi i rishikimit të përfundonte, por në fund ishte i pakënaqur kur gjeti se dorëshkrimi ishte redaktuar në mënyrë arbitrare, pa u thënë qartë pse".
Ish-zyrtari i lartë tha se nuk kishte zbuluar asnjë informacion të klasifikuar në draftin e dorëshkrimit.
Avokati i tij Mark Zaid bën me dije se në padinë e tij Esperi pretendon se "teksti i tij po refuzohet në mënyrë të pahijshme nga publikimi" dhe redaktorët e Pentagonit po e bëjnë këtë "nën maskën se ka material të klasifikuar".
Libri i tij flet për kohën që ai shërbeu nën presidentin Trump, kur Amerika pati trazira të forta civile, pandeminë, kërcënime në rritje nga jashtë.
Esper tha se kërkonte të gjente një rrugë të mesme, por ndjente keqardhje se padia ligjore ishte e vetmja rrugë në dispozicion e mbetur për t'i treguar popullit amerikan se çfarë ndodhte pas kuintave."
Ai nuk e publikon dot librin pa lejen e Pentagonit, përndryshe botimi do t'i sillte përgjegjësi të mundshme civile dhe penale.
