Italia konfirmon rastin e parë të variantit të ri, Omicron
Në Itali është konfirmuar rasti i parë me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, i cili numëron deri më 32 mutacione.
Mësohet rasti i parë me Omicron në vendin fqinj është një udhëtar italian, që mbërriti në Itali nga Mozambiku.
Ai mbërriti në Romë më 12 nëntor dhe udhëtoi për në shtëpinë e tij në një qytet në veri të Napolit, raporton Sky News Italia.
Autoritetet njoftojnë se "pacienti dhe familjarët e tij janë në gjendje të mirë shëndetësore."
“Gjatë udhëtimit kam respektuar rregullat e distancimit social dhe masat që janë të njohura për të gjithë”, tha burri. “Shkova në San Donato Milanese për kontrollet e planifikuara shëndetësore të kompanisë dhe në të njëjtën kohë bëra një test PCR të Covid të nevojshëm për fluturimin tim për në Maputo. Pasi mora përgjigjen se testi ishte pozitiv, u izolova në shtëpinë time,” tha ai.
Pesë anëtarët e tjerë të familjes së tij, gruaja, dy fëmijët, nëna dhe vjehrra, gjithashtu rezultuan pozitivë me Covid.
Studiuesit po përpiqen të konfirmojnë nëse edhe ata janë të infektuar me variantin Omicron.
Të premten, 26 nëntor, Italia ndaloi hyrjen për të gjithë udhëtarët që kishin qenë në shtatë vende në Afrikën Jugore në dy javët e fundit pasi varianti i ri u zbulua atje fillimisht.


